Qeveria e Republikës së Kosovës i ka propozuar kompanisë gjermane me renome globale “LIDL”, tri lokacione strategjike për të shtrirë aktivitetin e saj në vendin tonë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari e zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi kanë zhvilluar dje një takim me delegacionin e “LIDL”, kompani e cila pritet të investojë në Kosovë e të cilës i janë ofruar mundësi reale duke i\u prezantuar tre lokacione në të cilat kjo kompani do të mund të ushtronte aktivitetin e saj biznesor.
Hajdari, ka shkruar në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, se nga kompania “LIDL” janë zotuar se do të investojnë në Kosovë.
“Me delegacionin e kompanisë “LIDL” u përshëndetëm me zotimin që do të investojnë dhe zhvillojnë biznesin e tyre në Kosovë, gjersa konkluduan se Kosova ka shumë potenciale konkurruese për investime dhe ndër të tjera, është vendi me sistemin më të mirë tatimor në botë”, ka thënë ajo, shkruan Kosovanews.
Ministrja ka thënë po ashtu se me përfaqësuesit e “LIDL” i kanë vizituar tri lokacionet strategjike të përshtatshme për qendrën e ardhshme në Kosovë.
“Vizituam tri lokacione strategjike të propozuara nga kolegët e KIESA-s, të përshtatshme për qendrën e ardhshme logjistike të kompanisë “LIDL” në Republikën e Kosovës, pas bisedës së tyre më prodhuesit dhe përpunuesit e ushqimit dhe pijeve, potencial i mirë për furnizim për kompaninë “LIDL” dhe eksporte në botë”, ka thënë Hajdari.
“LIDL” GmbH & Co KG, janë zinxhir ndërkombëtar gjerman i shitjeve me pakicë me zbritje që operon mbi 11,000 dyqane në të gjithë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.
Selia e saj kryesore ndodhet në Neckarsulm, Baden-Württemberg – kompania i përket Grupit Schwarz, i cili gjithashtu operon zinxhirin e hipermarketeve Kaufland. /Kosovanews/.