Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka reaguar ndaj deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, duke e akuzuar atë për dezinformim lidhur me përgjegjësinë për menaxhimin e Deponisë së Sferkës.
Në një postim në Facebook, Pacolli ka deklaruar se Bajrami “po gënjen” kur pretendon se deponia është nën menaxhimin e Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK).
Sipas Pacollit, Deponia e Sferkës menaxhohet nga Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ambienti”, ndërsa KMDK-ja nuk ka përgjegjësi për administrimin e saj.
“KMDK nuk e menaxhon Deponinë e Sferkës. Atë e menaxhojnë njerëzit e Gazit (Muhaxherit), të cilin po mundohesh ta mbrosh duke u bërë centrifuga e përgjegjësisë së tij”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka shtuar se, ndonëse deponia nuk është trajtuar sipas standardeve, KMDK-ja ka dhënë rekomandime teknike për ndarjen e shtresave të mbeturinave me dhe apo materiale të tjera që nuk digjen.
Pacolli ka bërë të ditur se Ministria e Mjedisit, përmes Inspektoratit, ka ndërmarrë veprime ndaj kompanisë përgjegjëse.
“Inspektorati ka shqiptuar dënim në shumën prej 5 mijë eurosh për KRM ‘Ambienti’, pikërisht për shkak të mosrespektimit të standardeve”, ka theksuar ajo.
Ministrja ka shtuar se ekipet e KMDK-së kanë dalë në terren për të asistuar kompaninë, por sipas saj, nuk kanë gjetur zyrtarë apo punëtorë të KRM “Ambienti” që të monitoronin situatën.
Në reagimin e saj, Pacolli ka komentuar edhe kallëzimin penal të dorëzuar nga opozita lidhur me këtë çështje, duke thënë se shpreson që Prokuroria ta hetojë rastin dhe të përcaktojë përgjegjësinë për, siç e ka quajtur ajo, “katastrofën ekologjike” në Deponinë e Sferkës.
Ajo ka drejtuar kritika të ashpra edhe ndaj LDK-së dhe deputetes Bajrami, duke i akuzuar për, sipas saj, “viktimizim” dhe përpjekje për t’ia zhvendosur përgjegjësinë institucioneve që nuk e menaxhojnë deponinë.


