Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, nesër do të zhvillojë një vizitë në komunën e Istogut për të takuar fermerët e prekur nga breshëri dhe për të parë nga afër dëmet e shkaktuara në kulturat bujqësore.
Sipas njoftimit, gjatë vizitës, Ministri do të bisedojë me fermerët, do të vizitojë zonat e prekura dhe do të koordinohet me autoritetet lokale lidhur me vlerësimin e situatës në terren. Sipas nevojës, vizita do të vazhdojë edhe në komuna të tjera të prekura nga breshëri, përcjell KosovaPress.
“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural mbetet e angazhuar të jetë pranë fermerëve dhe të bashkëpunojë ngushtë me komunat dhe institucionet përkatëse në evidentimin e dëmeve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.
Një stuhi me breshëri ka goditur pasditen e sotme komunën e Istogut dhe disa rajone të tjera të vendit, duke dëmtuar dëme të mëdha në bujqësi.
Shefqet Gjocaj ka publikuar pamje dhe video në Facebook me nje mbishkrim: “Furtunë me breshër shkatërrues në Istog. Bresheri i madh ka shkatërruar pothuajse të gjitha prodhimet bujqësore dhe serrat! Qytetarët presin ndihmë nga Ministria e Bujqêsisë dhe Qeveria”.
KosovaPress merr vesh se ndër fermerët e prekur është edhe Nazmi Blakaj, me mbi 5 hektarë të mbjellë me shalqi.


