Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), sot nga ora 11:00 ka paralajmëruar të mbajë konferencë të jashtëzakonshme për media lidhur me orët e humbura gjatë grevës.
Ministria e Arsimit para pak ditësh ka publikuar kalendarin e orëve që duhen zëvendësuar, për çka nga kjo sindikatë kishin reaguar, duke thënë se kjo nuk do të bëhet.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nuk ka hequr dorë nga kalendari i caktuar për zëvendësim të orëve të humbura mësimore në shtator si pasojë e grevës, pavarësisht kërkesës nga komunat për moszëvendësim gjatë të shtunave.
Në një letër të publikuar nga Asociacioni i Komunave, Nagavci ka thënë se është e pamundur që të zëvendësohen 22 ditët e humbura duke shtuar nga një orë mësimore në ditë.
“Sa i përket propozimit tuaj që kompensimi i 22 ditëve të humbura të bëhet duke shtuar nga 5 orë Brenda javës për çdo nxënës, ju njoftojmë se praktikisht dhe teknikisht është e pamundur të realizohet një gjë e tillë, si nga aspekti pedagogjik, ashtu edhe ai logjistik. Në këtë mënyrë, do të zgjatej dita e punës në shkolla, gjë që do të shkaktonte çrregullime në shkollat që punojnë në dy ndërrime, si dhe do të shkaktohej një barrë shtesë psikologjike e emocionale për fëmijët”, ka thënë Nagavci në përgjigje.