Gjatë ditë së sotme është raportuar se deputetja Doarsa Kica-Xhelili nga subjekti i Listës Guxo, do të kalojë në një subjekt tjetër politik, respektivisht në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), që aktualisht udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.
E ky raportim ka nxitur reagime të shumta, si nga njerëz të politikës ashtu edhe nëpër rrjetet sociale.
Madje është shpërndarë edhe një fotografi ku deputetja në fjalë, pra Doarsa Kica-Xhelili shihet me Berat Buzhalën, personin që thuhet se ka luajtur rolin e sekserit për këtë kalim politik.
Buzhala edhe më parë është përmendur nga persona të ndryshëm se po përpiqet të ketë një rol në politikë, ndërsa shihet në takime të shumta me persona nga subjekte politike opozitare.
Vetë Buzhala një kohë ka qenë deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa kohëve të fundit përveç që për gjithçka është kritikues i madh i Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, ka dalë në mbështetje të LDK-së, PDK-së e gjithë partive tjera që kanë qeverisur me vendin në të kaluarën.
Madje Berat Buzhala tashmë e ka bërë mik edhe kryetarin aktual të PSD-së, Dardan Molliqajn, me të cilin është parë shpesh nëpër kafe e restorante.

Si do qoftë, raportimet në media se një deputete nga subjekti i Listës Guxo, do të kalojë në një subjekt tjetër politik ka nxitur reagimin e ministrit Faton Peci, i cili ka dhënë edhe një porosi për personat që po flitet se mund të bëjnë veprime të tilla.
Porosia e Faton Pecit është dhënë e shoqëruar edhe me një fotografi me presidenten Vjosa Osmani dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, shkruan KosovaNews.
“Kush synon tjetërsimin apo kontrabandimin e vullnetit të qytetarëve, i bashkohet atyre që janë pjesë e erës së përfunduar në politikë”, ka shkruar Peci, duke mos përmendur emra se për këtë e ka dhënë këtë porosi.
Kohëve të fundit dhe sot në media është raportuar se deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Doarsa Kica-Xhelili, përfundimisht i ka ndarë rrugët me këtë grup dhe me subjektin e saj, Listën Guxo. Sipas raportimeve të thirrura në burime të pakonfirmuara sot ajo pritet se do ta zyrtarizojë kalimin në LDK, partinë që udhëhiqet nga Lumir Abdixhikut.


