Drejtori i shkollës “Ahmet Gashi” në Prishtinë, Haxhi Meta, ka thënë se beson që orët e humbura do të kompensohen dhe se kjo është marrë parasysh edhe në marrëveshjen e arritur.
Ai ka thënë se është e rëndë që viti shkollor ka filluar me një muaj vonesë, porse thotë se kështu ka qenë edhe vitet e fundit, në kohën e pandemisë.
Të hënën ka nisur mësimi në gjitha shkollat në Kosovë pas pezullimit të grevës. BSPK-ja të shtunën mori vendimin për pezullimin e grevës që nisi më 25 gusht.
“Sigurisht që ka qenë humbje. Por, shpresoj të kompensohen edhe me orë shtesë, marrëveshja mes Qeverisë e SBASHK-ut sigurisht se e ka pasur parasysh edhe këtë. Natyrisht se ka qenë e rëndë. Është një muaj larg procesit mësimor, por nuk është hera e parë që kemi filluar në këtë kohë. Tri vjetët e fundit, në kohë të pandemisë, thuajse të njëjtën kohë kemi filluar. Shpresoj të kompensohen këto. Besoj se pjesa e pushimit pranveror, atje me siguri do të zëvendësojmë. Besoj çdo gjë do të jetë në rregullt. Duhet bërë përpjekje edhe mësimdhënësit edhe nxënësit që orët e humbura të plotësohen”, ka thënë Meta në KTV.
Ai ka thënë se shpreson që në janar të mos ketë grevë tjetër dhe të arrihet një marrëveshje.
Edhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit ka lënë të kuptohet se orët e humbura do të zëvendësohen.


