Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka reaguar zyrtarisht ndaj lajmeve të publikuara në disa media dhe pretendimeve të Qumështores Vita se janë bërë publike rezultatet e analizave laboratorike të mostrave të qumështit të marra nga inspektorati më 2 korrik 2026.
Në reagimin e saj, AUV e mohon kategorikisht se ka dërguar email me rezultate për mostrat e marra më 2 korrik, duke sqaruar se analiza të tilla ende nuk kanë përfunduar dhe se rezultatet zyrtare nuk ekzistojnë ende.
“AUV nuk ka përcjellur asnjë email me rezultate sepse të tilla ende nuk ka”, thuhet në reagimin zyrtar të Agjencisë.
Sipas AUV-së, lajmi i publikuar së fundi, ku pretendohet se produktet e qumështit Vita kanë rezultuar pa qumësht pluhur dhe pa vaj palme, nuk paraqet qëndrimin zyrtar të institucionit dhe as nuk buron nga ky institucion. Agjencia ka bërë të ditur se analizat laboratorike për mostrat e marra më 2 korrik 2026 janë ende në proces përpunimi dhe nuk kanë përfunduar.
Ky reagim hedh poshtë pretendimet e bëra publike nga Vita, e cila më herët njoftoi se kishte pranuar përmes emailit rezultatet e mostrave të produkteve të saj. Në këtë mënyrë, deklarata e AUV-së lë të kuptohet se opinioni publik mund të jetë vënë përballë një informacioni të pasaktë ose të paraqitur në mënyrë të tillë që krijon përshtypjen se bëhet fjalë për rezultatet më të fundit të inspektimit.
AUV ka rikujtuar se edhe gjatë takimit të mbajtur të hënën me përfaqësuesit e Qumështores Vita dhe Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, është theksuar qartë se rezultatet zyrtare do të publikohen vetëm pas përfundimit të të gjitha analizave laboratorike dhe verifikimit të tyre nga autoritetet kompetente.
Në fund të reagimit, Agjencia u ka bërë thirrje mediave dhe opinionit publik që të referohen vetëm në komunikimet zyrtare të institucionit dhe të shmangin publikimin e informacioneve të paverifikuara, të cilat – sipas AUV-së – mund të dezinformojnë publikun dhe të dëmtojnë besimin në procesin e kontrollit zyrtar.
Me këtë reagim, AUV ka sqaruar se rezultatet e shumëpërfolura nuk lidhen me mostrat e marra më 2 korrik, ndërsa mbetet të pritet publikimi i analizave zyrtare për të kuptuar përfundimisht se cili është rezultati i kontrollit të fundit ndaj produkteve të qumështit Vita.


