Ka vdekur mësuesja e pensionuar Halide Vinca – Kastrati, e cila për shumë vite punoi me dashuri dhe përkushtim të madh në shkollën “Hasan Prishtina”, por edhe në shkolla tjera të kryeqytetit dhe vendit.
Lajmin e dhimbshëm se ka ndërruar jetë veterania e arsimit, e ka dhënë në faqen e saj zyrtare shkolla “Hasan Prishtina”.

Njoftimi i plotë i shkollës:
Njoftohen nxënësit, ish-nxënësit dhe mësimdhënësit, se sot, vdiq mësuesja Halide Vinca – Kastrati, e cila për shumë vite punoi me dashuri dhe përkushtim të madh në shkollën tonë.
Halide Vinca – Kastrati, shkollimin fillor e kreu në shkollën “Fejzi Vinca” në Veleshtë të Strugës, ndërsa shkollimin e mesëm e përfundoi në SHM “Zef Lush Marku” në Shkup.
Studimet e larta i kreu në Akademinë Pedagogjike në Shkup.
Në fillimet e karrierës arsimore punoi si mësuese në Shkollën Fillore “Fejzi Vinca” në fshatin e lindjes në Veleshtë, dhe më pastaj vazhdoi në SHF “25 Maji” në Shkup.
Gjatë viteve tetëdhjetë punoi si mësuese e ciklit klasor edhe në SHF “Hasan Prishtina” në Prishtinë.
Vitet e fundit, deri sa u pensionua, punoi në SHFMU “Gjergj Fishta” në Prishtinë.
Mësuesja Halide, asnjëherë nuk i shkëputi lidhjet e saja me shkollën “Hasan Prishtina”, ku në çdo manifestim të organizuar nga shkolla, mësuesja Halide ishte në vizitë ku bisedonin shtruar për kujtimet dhe kohët e kaluara në shkollën tonë.
Drejtoria dhe kolektivi i shkollës “Hasan Prishtina” në Prishtinë, u shprehin ngushëllime të thella familjarëve të mësueses Halide. .
Do të mbeteni përherë pjesë e historisë së kësaj shkolle!
Drejtoria e shkollës.


