Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Egzon Reshanit.
Sipas vendimit të gjykatës, paraburgimi do të zgjasë deri më 3 shtator 2026, ndërsa Reshani dyshohet për disa vepra penale, përfshirë dy raste të veprës penale “Detyrimi” në bashkëkryerje, veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” në bashkëkryerje, si dhe veprën penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” në vazhdimësi.
Gjykata ka bërë të ditur se, nga provat e siguruara deri në këtë fazë të hetimeve, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2025, i pandehuri, së bashku me persona të tjerë dhe si pjesë e një grupi të organizuar, dyshohet se ka përdorur kanosjen për të detyruar të dëmtuarin të kryejë veprime në dëm të pasurisë së tij.
“Veprimet e të pandehurit dyshohet se i kanë shkaktuar të dëmtuarit humbje materiale, si dhe frikë, ankth, pasiguri dhe shqetësim për jetën e tij dhe të familjarëve të tij”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.
Po ashtu, sipas dyshimeve të paraqitura në vendim, gjatë vitit 2025, Reshani së bashku me katër persona të tjerë dyshohet se e ka privuar të dëmtuarin nga liria në mënyrë të kundërligjshme, duke e mbajtur të mbyllur kundër vullnetit të tij.
Gjykata ka theksuar se ekziston dyshimi se gjatë vitit 2026, i pandehuri në periudha të ndryshme kohore ka përdorur forcë dhe kanosje serioze ndaj të dëmtuarit, me qëllim që ta pengojë atë të japë deklarata dhe informacione të vërteta para Prokurorisë.
“Në këtë mënyrë, dyshohet se ka synuar pengimin e zhvillimit të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Në arsyetimin për caktimin e paraburgimit, Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë rrethana që e bëjnë të domosdoshme këtë masë. Sipas saj, E.R. kishte qenë në arrati që nga janari i vitit 2026 dhe ishte kërkuar si i dyshuar për disa vepra penale.
“Kjo krijon rrezik të lartë që, në rast se lirohet, i pandehuri të largohet nga Republika e Kosovës me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale”, ka vlerësuar Gjykata.
Gjykata ka bërë të ditur se hetimet janë ende duke vazhduar dhe pritet sigurimi i provave të tjera materiale, dëgjimi i të dëmtuarit, dëshmitarëve dhe marrja e deklaratave nga të pandehurit.
Sipas saj, ekziston edhe rreziku që Reshani, nëse do të mbrohej në liri, të ndikonte te i dëmtuari për ndryshimin e deklaratave të mëhershme dhe në këtë mënyrë të pengonte zhvillimin normal të procedurës penale.
Pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve gjatë seancës dëgjimore, Gjykata ka konstatuar se, duke marrë parasysh peshën e veprave penale dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer, vetëm masa e paraburgimit mund të sigurojë praninë e të pandehurit dhe zhvillimin e papenguar të procedurës penale.


