Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti, ka deklaruar se para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit duhet të vazhdojnë diskutimet politike për arritjen e një marrëveshjeje lidhur me zgjedhjen e presidentit, duke vlerësuar se kjo do të shmangte mundësinë e zgjedhjeve të reja.
Në një konferencë për media pas ndërprerjes së seancës për konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës, Kurti tha se situata aktuale kërkon më shumë kohë për dialog.
“Përballë kësaj situate, e cila ka nevojë për trashëgimi dhe konsideroj se është e nevojshme t’i jepet shans vazhdimit të diskutimit para se të lëvizim me konstituimin e Kuvendit, gjë që do ta vështirësonte evitimin e zgjedhjeve. Na duhet shtesë kohe për diskutime dhe vetëm atëherë kur ta kemi arritur dakordimin për çështjen e presidentit të vazhdojmë me çështje tjera”, tha Kurti.
Ai theksoi se është e nevojshme që partitë politike t’u rikthehen bisedimeve dhe se seanca konstituive duhet të thirret vetëm pasi të ketë marrëveshje për këtë çështje.
Kurti falënderoi kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për takimet e zhvilluara deri më tani, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e dialogut me LDK-në.
“Jam i interesuar të vazhdoj diskutimin me LDK-në për një marrëveshje. Por i bëj thirrje edhe kryetarit të AAK-së dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, që të takohen, të bisedojnë”, u shpreh ai.
Sipas Kurtit, nëse posti i kryetarit të Kuvendit i takon subjektit fitues, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe formimi i Qeverisë është përgjegjësi e shumicës parlamentare, atëherë zgjedhja e presidentit është përgjegjësi që duhet të ndahet edhe me PDK-në dhe AAK-në.
“Nëse kryetari i Kuvendit i takon subjektit fitues që është LVV dhe nëse qeverinë e formon mazhoranca që jemi ne, nëse këto dyja janë përgjegjësi e jona, zgjedhja e presidentit është përgjegjësi edhe e PDK-së edhe e AAK-së”, deklaroi Kurti.


