Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, e ka përkujtuar masakrën e Likoshanit dhe Qirezit të Skenderajt. Në 26 vjetorin e varrimit të 20 civilëve të vrarë dhe të masakruar në Likoshan dhe Qirez, Kurti ka shkruar se masakra në këto dy fshatra ishte e para në mesin e shumë të tjerave që do të kryente Serbia në Kosovë. Sipas tij, e kaluara duhet përballuar dhe përkujtuar me dinjitet dhe krenari, siç ka bërë baci Sheremet Sejdiu që nga dita kur ia vranë djemtë e deri sot.
“Beqir, Nazmi, Bedri dhe Bekim Sejdiu ishin ndër 20 civilë të parmatosur që u vranë më 28 shkurt 1998, nga policia e shtetit të Serbisë në fshatrat Likoshan dhe Qirez. Kjo ishte masakra e parë mes shumë të tjerash që do t’i kryente Serbia mbi shqiptarët në Kosovë, nga shkurti i vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999. Atë ditë, në luftime mes policëve serbë dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ranë edhe katër dëshmorë, kurse nga trupat serbe mbetën të vrarë 18 policë,” shkruan Kurti.


