Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se sot në orën 17:00 është përmbyllur procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës.
Sipas KQZ-së, nga fillimi i procesit më 9 qershor deri në përfundim, janë trajtuar gjithsej 85,790 pako, prej të cilave janë aprovuar 82,809, ndërsa 2,981 janë refuzuar.
Arsyeja kryesore e refuzimit mbetet mungesa e dëftesës së regjistrimit në 2,552 raste. Ndër shkaqet e tjera janë përfshirë rastet kur në një pako janë vendosur më shumë se një fletëvotim ose më shumë se një person (322 raste), dërgimi i pakove nga shtete të ndryshme nga ai i regjistrimit (23 raste), mungesa e fletëvotimit (32 raste), mungesa e vulës postare (5 raste), si dhe një rast i fletëvotimit të shtypur. Po ashtu janë evidentuar edhe 46 zarfe të dërguara gabimisht.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i tërheqjes së pakove nga kutitë postare është përmbyllur më 8 qershor, duke përfshirë 23 kuti postare në 22 shtete, si dhe në Kosovë.
Sipas tij, votimi përmes postës ka qenë i hapur nga 21 maji deri më 6 qershor, ndërsa janë regjistruar rreth 105 mijë shtetas për të votuar në këtë formë.
Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i fletëvotimeve nga diaspora. Deri në orën 18:00 të së dielës janë numëruar 60 kuti votimi, pas verifikimit dhe përgatitjes së tyre nga shërbimi votues i KQZ-së.


