Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është dënuar dje me 3 vjet e tetë muaj burgim për rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, ndërsa dënime me burg morën edhe tre persona tjerë që në qeverisjet e kaluara mbanin poste të ndryshme në institucione.
E pas dënimit për 53 milionëshin, sot më nje sqarim doli zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili tha se në këtë rast nuk bëhet fjalë për 53 milionë, por për 97 milionë euro.
“Përveç 53 milionë euro Bechtel Enka është paguar edhe me një shumë tjetër në vlerë 44 milionë euro.
Edhe pse kontrata ka qenë “llamsam” (me çelësa në dorë) dhe me këtë lloj kontrate nuk lejohen punët shtesë, pa asnjë procedurë të prokurimit Bechtel Enka-s i janë paguar edhe 44 milionë euro shtesë”, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Durmishi.

Dje me një vendim të Gjykatës ish- ministri dhe deputeti aktual i AAK-së, Pal Lekaj është dënuar me 3 vjet e tetë muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare e dëmtim me dashje të buxhetit të shtetit.
Lekaj është dënuar edhe me dënim plotësues, që ia ndalon për 3 vjet e gjashtë muaj ushtrimin e funksionit publik në administratë publike.
Bashkë me të janë dënuar edhe ish-sekretari i Ministrisë Nebih Shatri me një vit e tetë muaj, drejtori i Prokurimit Besim Tahiri me një vit e tetë muaj burgim dhe këshilltari Eset Berisha me 3 vjet e tre muaj.
Në deklarimet e tyre paraprake të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.
Avokatët e të dënuarve kanë deklaruar pas vendimit se do ta apelojnë në Gjykatën e Apelit.
Vite me parë mediat patën publikuar një raport të kompanisë “Hill”, e cila ishte e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për mbikëqyrjen e ndërtimit të kësaj autostrade. Sipas dokumentit, detyrimi monetar në raport me “Bechtel-Enkan” ishte 14 milionë euro. Por, Lekaj nuk e kishte prezantuar zyrtarisht në Qeveri këtë raport e në mungesë të tij Ekzekutivi e kishte aprovuar pagesën prej 53 milionë eurosh shtesë për kompaninë që e ka ndërtuar autostradën.


