Shtëpia botuese “Dukagjini” ka reaguar pas deklaratave të ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se ka rritje të çmimeve të teksteve shkollore nga viti në vit. Në reagim thuhet se kjo shtëpi botuese ka bërë ofertë në ministri me çmim rreth 4% më lirë krahasuar me vitin e kaluar.
“Dukagjini” ka shkruar se është duke e përcjellë me vëmendje diskutimin që është duke u bërë për librat për filloristët.
“Shtëpia jonë botuese, për hir të transparencës, dëshiron ta njoftojë opinionin publik se në ofertimin që kemi bërë në Ministri, pavarësisht inflacionit dhe rritjes globale të çmimeve, kemi ofertuar me çmim më të lirë për rreth 4% krahasuar me vitin 2022. Megjithkëtë, shtëpia botuese “Dukagjini” do ta bëjë maksimumin që t`i përmbushë obligimet që dalin nga legjislacioni në fuqi”, thuhet në reagim.
Ministrja Arbërie Nagavci ka deklaruar se janë duke e shqyrtuar mundësinë që t’i transferojnë mjetet financiare te prindërit dhe ata t’i blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre.
Ajo ka thënë se ka dallime të mëdha të çmimeve të teksteve shkollore.
“Ka pasur dallime të mëdha të çmimeve të teksteve shkollore, kemi pasur jo vetëm dallim nga viti në vit dhe rritje të çmimeve, por edhe dallime për tekstet e të njëjtës klasë nga shtëpitë e ndryshme botuese ”, ka deklaruar Nagavci në një konferencë për media.


