Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për rrëmbim.
Rasti është raportuar sot rreth orës 18:30, ku personi i dyshuar ka rrëmbyer një person, për lirimin e të cilit nga familjarët e viktimës ka kërkuar një shumë parash prej 30 mijë euro.
Sipas policisë, arrestimi i personit të dyshuar është bërë nga zyrtarët policor të Njësitit të Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës.
“Sh. K.mashkull, 23 vjeç , shtetas i Republikës së Kosovës, dhe lirimi i viktimës ( në gjendje të mirë shëndetësore), është bërë pak minuta pas raportimit si rezultat i një pune intensive hetimore, të cilën zyrtarët policor e kanë ndërmarrë në bashkëpunim me prokurorin e shtetit”, ka njoftuar PK.
Pjesë e aksionit policor ka qenë edhe bastisja dhe ekzaminimi i lokacionit ku është mbajt viktima.
Aty janë gjetur dhe sekuestruar një armë, një thikë, një sëpatë si dhe gjësende të tjera.
Po ashtu me vendim të prokurorit është konfiskuar edhe një veturë.
“Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke kryer veprimet e nevojshme procedurale”, thuhet në njoftim.


