Më 04.08.2026, rreth orës 18:20, stacioni policor në Kaçanik është njoftuar nga një njësi e trafikut rajonal, e cila gjatë patrullimit në rrugën magjistrale kishte vërejtur një person të gjinisë femërore, rreth 30 vjeçe, duke ecur në pjesën e betonuar të urës, në afërsi të Fushës së Pajtimit, në rrethana që kishin ngritur dyshime për rrezik të mundshëm ndaj jetës së saj.
Pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë reaguar menjëherë patrullat policore, njësia e hetimeve, njësia e zjarrfikësve dhe ekipi i emergjencës.
Falë reagimit të shpejtë dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, rreth orës 18:35 personi është larguar me sukses nga zona e rrezikshme dhe është vendosur në një vend të sigurt, pranë rrethrrotullimit te Fusha e Pajtimit.
Në vendin e ngjarjes, ekipi i emergjencës i ka ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa për rastin janë njoftuar prokurori i shtetit dhe Qendra e Punës Sociale, pasi personi nuk kishte familjarë apo persona përgjegjës që të kujdeseshin për të.
Policia e Kaçanikut, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit dhe strehimin e personit.
Policia mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve dhe falënderon të gjitha institucionet e përfshira për bashkëpunimin dhe reagimin profesional në këtë rast.


