Shkodra Elektronike, përfaqësuesit e Shqipërisë në Eurovision 2025, ndezën skenën e Bazelit me një performancë që mbajti gjallë emocionin dhe kuptimin e vërtetë të artit.
Me këngën “Zjerm”, dyshja artistike Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca dhuruan një nga momentet më të paharrueshme të mbrëmjes finale.
Beatriçe u shfaq sërish mahnitëse, me vallëzimin unik, që nuk ishte thjesht koreografi, por pjesë e rrëfimit emocional të këngës.

Ajo shkëlqeu me praninë e saj skenike, duke bartur mbi supe gjithë intensitetin e mesazhit që përçonte “Zjerm”.
Vokali i saj i fuqishëm dhe i pastër goditi thellë, duke shtuar një dimension shpirtëror dhe poetik në çdo varg.

Nga ana tjetër, Kolë Laca me zërin e tij të thellë dhe të ngrohtë shtoi edhe më shumë emocione.
Pjesa e tij poetike ishte një pikë kulmore – një thirrje e heshtur për kujtesë, për shpresë, për ringritje, edhe në rrënojat më të errëta.
Performanca e tyre ishte më shumë se muzikë – ishte një përjetim, një akt artistik që bashkoi elektronikën moderne me rrënjët kulturore shqiptare, shpirtin meditativ me fuqinë e zërit njerëzor.