Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mënyrën sesi po menaxhon përpjekjet për konstituimin e Kuvendit, duke e akuzuar se po shpik procedura që bien ndesh me rregulloren dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ndërsa, ka thënë se nuk do të pranojnë sërish formën e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.
Ai reagoi veçanërisht ndaj mundësisë që të kalohet në votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të “ndërruar rregullat në mes të lojës”, gjë që, sipas tij, është e papranueshme në një demokraci funksionale.
“Do duhej të kishte një zgjidhje nga partia e parë, LVV. Shpresoj që nuk do të shpikin ndonjë çështje që bie ndesh me rregulloren e punës së Kuvendit, ose Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo nuk i ndihmon as procesit, por e rëndon dhe më tutje, dhe po shihet që fare pak janë të interesuar të kalojnë në zgjedhjen e kryetarit, konstituimin e Kuvendit, dhe të ecin tutje për formimin e Qeverisë së re…Votimi i fshehtë do të ishte pjesë e procedurës fillestare, ose i hapur siç ka filluar, por nuk mund të ndërrohen rregullat e lojës në mes të lojës, ose në fund të lojës. Kjo është ABC e jetës parlamentare ose demokracisë. Kjo vetëm e rendon procesin, por është tregues i qartë, se tendenca për të shpikur ide të reja është për të keqpërdorur atë që ju takon sipas moshës, udhëheqësit të seancës, me të vërtetë ka lënë shije të keqe dhe duhet të ndalohet nga LVV”, ka deklaruar Zemaj.
Zemaj theksoi se kjo qasje tregon se brenda Vetëvendosjes ka pasiguri dhe mungesë konsensusi për kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, duke nënvizuar se problemet janë të brendshme dhe nuk duhet bartur tek opozita.
Ai gjithashtu kritikoi mënyrën si ka funksionuar Kuvendi përgjatë vitit të kaluar, duke thënë se institucioni ka qenë jofunksional që nga fillimi i vitit 2023 dhe gjatë gjithë 2024-ës
Zemaj ka thënë se i takon partisë së parë të bëjë propozimin, por jo të këmbëngul që vetëm atij ekzluzivisht i takon emri i partisë së tij.
Sot nga ora 10:00 do të vazhdojë seanca konstituive për Kuvendin e Kosovës. Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu ka dështuar për gjashtë herë të sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur. Ndërsa kjo është hera e dhjetë që tentohet të konstituohet Kuvendi i Kosovës.
Të enjten, kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari propozoi votim të fshehtë për kryeparlamnetarin, por kjo mënyrë e votimit u kundërshtua nga partitë opozitare.