Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar pasi Republika e Kosovës ka dorëzuar aplikimin për statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkim Evropian.
Sipas Vuçiq, me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, u shkel Marrëveshjen e Uashingtonit.
Më 15 dhjetor, Kosova zyrtarisht aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Ne do t’i përgjigjemi të gjitha këtyre sonte, pas mbledhjes së Qeverisë. Ne po ashtu do të marrim përgjigje sa i përket kërkesës sonë lidhur me Rezolutën 1244, por edhe për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga shumë shtete”, tha Vuçiq për gazetarët më 15 dhjetor, gjatë një vizite në kufirin midis Serbisë dhe Hungarisë.
Marrëveshja e Uashingtonit, të cilës i referohet Vuçiqit, veç tjerash, parashihte një moratorium njëvjeçar për Kosovën dhe Serbinë.
Drejtuesit qeveritar të saj kohe ishin zotuar se për një vit Kosova nuk do të aplikonte për anëtarësim në institucione e organizata ndërkombëtare, ndërkaq Serbia të ndalte fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Vuçiq tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE shkel nenin 49 të Traktatit të BE-së.
“Kushti për të qenë në gjendje për të aplikuar për anëtarësim në BE është që të jesh shtet evropian. Nuk e di se çfarë kriteri përdoret për të përcaktuar se çfarë nënkuptojmë me të qenët shtet, a i referohet një shteti të BE-së apo të gjitha shteteve të BE-së, apo anëtarësimit në Kombet e Bashkuara”, tha Vuçiq.


