Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, JD Vance, ka deklaruar se marrëveshja me Iranin është nënshkruar në formë elektronike gjatë fundjavës, duke theksuar se kushtet e saj tashmë kanë hyrë në fuqi dhe se Teherani nuk ka përfituar asnjë lehtësim të ri financiar.
“Ne e nënshkruam marrëveshjen në mënyrë dixhitale dje dhe nuk është liruar asnjë shumë parash. Dhe kjo nuk do të ndryshojë”, tha Vance në emisionin “Good Morning America” të ABC-së.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur ende kishte paqartësi nëse një nënshkrim elektronik i tillë kishte ndodhur realisht, edhe pse një format i tillë ishte diskutuar para arritjes së marrëveshjes.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump kishte njoftuar të dielën se një nënshkrim zyrtar i marrëveshjes pritet të zhvillohet në Zvicër të premten, duke shtuar se disa prej dispozitave, përfshirë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, nuk do të hyjnë në fuqi deri në momentin e nënshkrimit formal.
“Me hapjen e Ngushticës pas nënshkrimit të Marrëveshjes të premten, me qëllim heqjen e minave, nafta do të rrjedhë përsëri nga të dyja anët për rajonin dhe botën”, kishte shkruar Trump në rjjetin social Truth.
Marrëveshja ShBA–Iran mbetet një nga zhvillimet më të rëndësishme diplomatike të ditëve të fundit, ndërsa pritet që detajet e saj të sqarohen më tej në ditët në vijim.


