Policia e Kosovës ka ndarë 14 automjete të reja hibride për policët e lagjes, me qëllim rritjen e efikasitetit në terren dhe forcimin e bashkëpunimit me komunitetin.
Menaxhmenti i Policisë së Kosovës po vazhdon përpjekjet për rritjen e efikasitetit të punës së policëve të lagjes, duke synuar që ata të jenë më afër komunitetit dhe nevojave të qytetarëve.
Në kuadër të zbatimit të objektivave të Strategjisë së Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi, si dhe forcimit të qasjes proaktive ndaj kërkesave të qytetarëve, Policia e Kosovës ka vazhduar mbështetjen për Divizionin e Policisë në Bashkësi dhe Parandalim.
Njoftimi i plotë nga Policia e Kosovës:
Në këtë kuadër, sot janë ndarë 14 vetura të reja hibride për sektorët ku shërbejnë policët e lagjes. Automjetet do të përdoren për mbulimin e zonave sektoriale në të gjitha drejtoritë rajonale të Policisë së Kosovës.
Përveç tyre, një veturë e re është ndarë edhe për Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore.
Sipas Policisë së Kosovës, pajisja me automjete zyrtare pritet të mundësojë reagim më të shpejtë dhe një qasje më efikase të policëve në terren, duke kontribuar në përmbushjen e objektivave të policimit në bashkësi dhe në rritjen e sigurisë për qytetarët.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit dhe komunikimit me qytetarët, si dhe për rritjen e mëtejme të besueshmërisë dhe transparencës institucionale.


