Universiteti i Prishtinës ka shpallur konkursin për studime të doktoratës për vitin akademik 2024/25.
Në konkurs do të pranohen 22 studentë, në pesë programe studimore të katër fakulteteve.
Kandidatët mund të konkurrojnë për nga një program të Fakultetit të Mjekësisë, Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe dy programe të Fakultetit të Filologjisë.
Konkursi për studimet e doktoratës do të jetë i hapur nga 30 dhjetori 2024 deri më 15 janar 2025. Informatat e detajuara për konkursin mund t’i lexoni këtu.
Për shpalljen e konkursit të studimeve të doktoratës u vendos në mbledhjen e Senatit të Universitetit të Prishtinës, të mbajtur më 23 dhjetor 2024.
Në të njëjtën mbledhje, u bë e ditur se nga viti i ardhshëm testet e gjuhës angleze për kandidatët e studimeve të doktoratës do të jenë të pranuara ndërkombëtarisht.
Konkursi i radhës i studimeve të doktoratës në Universitetin e Prishtinës është paraparë të shpallet në pranverën e vitit 2025.
Universiteti i Prishtinës është universiteti më i madh, më i vjetër dhe më i suksesshëm në Kosovë dhe i rendituri më së larti nga të gjitha universitetet e hapësirave ku jetojnë shqiptarët.