Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka vlerësuar paraqitjen e ministrit të Bujqësisë, Armend Muja, në emisionin e mbrëmshëm në T7, duke e konsideruar atë në përputhje me pritjet e prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit për mbrojtjen e prodhimit vendor dhe të konsumatorëve të Kosovës.
Përmes një reagimi publik, shoqata ka shprehur mbështetjen për përkushtimin e Ministrisë së Bujqësisë ndaj zhvillimit të industrisë së qumështit, duke theksuar se sektori përballet me sfida të shumta, por se fermerët dhe përpunuesit mbeten të vendosur për të vazhduar përpjekjet për forcimin e prodhimit vendor.
Sipas shoqatës, industria e qumështit ka pësuar dëme të konsiderueshme gjatë viteve të fundit, me shumë ferma që kanë ndërprerë aktivitetin, investime që kanë humbur vlerën dhe vende pune që janë mbyllur. Si pasojë, shumë fermerë janë detyruar të braktisin aktivitetin e tyre dhe të orientohen drejt profesioneve të tjera.
Shoqata ka ngritur shqetësimin për përdorimin e vajit të palmës dhe qumështit pluhur në produkte të caktuara ushqimore, duke i konsideruar këto si faktorë që kanë ndikuar negativisht në pozitën e qumështit vendor në treg dhe në standardet e sigurisë ushqimore.
Në reagim thuhet se institucionet evropiane, përfshirë Autoritetin Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA), kanë publikuar vlerësime dhe udhëzime lidhur me rreziqet e mundshme që lidhen me përdorimin e vajit të palmës, ndërsa Komisioni Evropian ka vendosur kritere dhe rregullore specifike për këtë sektor.
Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka bërë thirrje për forcimin e mekanizmave mbrojtës për prodhuesit vendorë, rritjen e kontrolleve në treg dhe zbatimin e drejtë të legjislacionit në fuqi, duke theksuar se këto janë elemente të domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.
Gjithashtu, është kërkuar mbështetje më e madhe nga opinioni publik dhe mediat për çështjet që lidhen me industrinë e qumështit, me arsyetimin se mbrojtja e prodhimit vendor dhe siguria ushqimore janë në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve të Kosovës.
Shoqata ka përsëritur qëndrimin e saj se zhvillimi i sektorit duhet të mbështetet në prodhimin nga fermat vendore, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kapaciteteve prodhuese dhe garantimit të produkteve cilësore për konsumatorët.


