Donald Trump po kërcënon të mbyllë Ngushticën e Hormuzit — një rrugë ujore shumë e rëndësishme për transportin global — për të cilën ai ka thënë vazhdimisht se duhet të rihapet pa kushte nga Irani.
“Me efekt të menjëhershëm, Marina e Shteteve të Bashkuara, më e mira në botë, do të nisë procesin e BLLOKADËS ndaj çdo anijeje që përpiqet të hyjë ose të dalë nga Ngushtica e Hormuzit,” shkroi Trump në rrjetin Truth Social.
Në një moment do të arrijmë në një situatë ku ‘të gjithë lejohen të hyjnë dhe të gjithë lejohen të dalin’, por Irani nuk e ka lejuar këtë të ndodhë.
Vendimi i Iranit për të mbyllur ngushticën për trafikun e cisternave të naftës ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike për disa vende që varen nga nafta e Lindjes së Mesme dhe ka çuar në rritje të çmimeve në mbarë botën — përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se bllokada do të nisë të hënën në orën 10:00 sipas kohës lindore të SHBA-së (EDT), ose në orën 17:30 në Iran, dhe do të “zbatohet në mënyrë të paanshme ndaj anijeve të të gjitha vendeve që hyjnë ose dalin nga portet dhe zonat bregdetare iraniane, përfshirë të gjitha portet iraniane në Gjirin Arabik dhe Gjirin e Omanit”.
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara thotë se bllokada do të zbatohet në mënyrë të paanshme ndaj anijeve të të gjitha vendeve — megjithatë, forcat e saj “nuk do të pengojnë lirinë e lundrimit për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit drejt dhe nga portet jo-iraniane”.
Garda Revolucionare e Iranit thotë se çdo anije ushtarake që i afrohet ngushticës do të konsiderohet shkelje e armëpushimit aktual dhe “do të trajtohet ashpër”.
Një raport i The Wall Street Journal thotë se Donald Trump po shqyrton mundësinë e rifillimit të sulmeve ajrore ndaj Iran. Shtëpia e Bardhë i tha BBC-së se të gjitha opsionet janë në tavolinë, por shtoi se kushdo që pretendon se e di se çfarë do të bëjë Trump më pas “po spekulon”.
Trump tha se Irani ende dëshiron të ndjekë ambiciet e tij bërthamore, duke u zotuar se SHBA do të sigurojë që “Irani nuk do të ketë armë bërthamore”.
Dështimi i bisedimeve të paqes dhe rritja e çmimeve të naftës kanë goditur ekonominë globale — nafta tani ka kaluar mbi 100 dollarë për fuçi.


