Kardiologu Dragan Dinçiq, i cili, sipas tij, prej shumë vitesh është i përfshirë në trajtimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe paraardhësit të tij Boris Tadiq, ka thënë se Vuçiq është kthyer papritur nga SHBA-ja pasi ka ndjerë një dhimbje të fortë në gjoks, e cila ka zgjatur disa sekonda.
Mirëpo, siç thanë të pranishmit në atë moment, sipas Dinçiqit, ajo dhimbje zgjati pak më shumë.
Dhimbja, siç deklaroi Dinçiq, lidhej me tensionin e lartë të Vuçiq, i cili pasi mori terapinë ishte 165/98 45 minuta më vonë.
Kardiologu Dinçiq vlerësoi se presioni i gjakut ishte ndoshta shumë më i lartë para fillimit të terapisë.
Ai po ashtu tha se Vuçiq kishte pasur probleme të ngjashme në tri raste në 10 vjetët e fundit, dhe ato kishin të bënin kryesisht me tensionin jashtëzakonisht të lartë të gjakut.
Ai po ashtu ka thënë se pas ekzaminimeve dhe analizave të nevojshme, këshilli mjekësor i MMA ka konstatuar se gjendja aktuale shëndetësore e Vuçiq është stabile.
“Këshilli korrigjoi terapinë, këshilloi vazhdimin e monitorimit dhe trajtimit të rregullt të mëtejshëm. Pritet që në orën e ardhshme rreth orës 17:00 presidenti të largohet nga Akademia Mjekësore Ushtarake dhe sigurisht nuk është reale të pritet që presidenti të mund t’i kthehet plotësisht aktiviteteve të tij të rregullta në ditët e ardhshme”, tha Dinçiq.