Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se raportimet për ikje masive të qytetarëve janë të pavërteta dhe mund të përdoren për qëllime politike dhe dashakeqe nga Serbia kundër shtetit tonë. Ai ka thënë se lajmet e tilla janë demantuar nga Stacioni i Autobusëve e po ashtu demantohen lehtësisht edhe nga të dhënat e Policisë së Kosovës/Departamenti i Kufirit, ku dëshmohet se nuk bëhet fjalë për “ikje masive” të qytetarëve tanë apo flukse të autobusëve.
“Sipas të dhënave nga pikat kufitare, nga 1 janari i këtij viti, kur vendi ynë gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë pa viza e deri më sot, në Republikën e Kosovës nga të gjitha pikat kufitare kanë hyrë 3687 autobusë, ndërsa kanë dalur nga të gjitha pikat kufitare 2408 autobusë” ka thënë mes të tjerash Sveçla.
Ai shtoi se procesi i menaxhimit të udhëtimeve pas liberalizimit të vizave është duke shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme.
Të gjithë qytetarët i falënderoj për respektim të procedurave të udhëtimit pa viza dhe ju dëshiroj rrugë të mbarë si në vajtje ashtu dhe ardhje në vendin e tyre!


