Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ia ka njohur kontributin kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për lirimin e policëve të kidnapuar nga Serbia.
Ai tha se këtu kanë kontrubuar të gjithë nga pak, ndërsa ka theksuar se faktori evropian dhe rajonal nuk duhet të mjaftohen vetëm me lirimin e policëve pasi sipas tij presioni ndaj Serbisë duhet të shtohet. Pasi është faktor destabiliteti në rajon.
“Të gjithë nga pak, presioni për Serbinë ishte shumë i madh. Ne bllokuam të gjitha pikat kufitare për mallrat e Serbisë. Ishin shtetet aleate që u angazhuan që lirimi i policëve të ndodh sa më shpejt. Ishte dhe Rama që reagoi ashpër për këtë rast. Rama kontribuoi që tre policët të lirohen. Unë besoj se angazhimi i faktorit, qoftë rajonal, qoftë evropian nuk duhet të mjaftohet me kaq. Do të duhet që ndaj Serbisë të shtohet presioni, pasi Serbia vazhdon të jetë faktor destabiliteti. Ne mbrëmë kishim një sulm terrorist në oborrin e komunës së Mitrovicës së Veriut, prodhim i Serbisë”, ka thënë ai./Euronews.al
Dje janë liruar tre policët të cilët janë rrëmbyer nga Serbia.
Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi, ishin kidnapuar më 14 qershor.
Policia derisa kishte konfirmuar kidnapimin e tyre nga forcat serbe kishte thënë se “njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.
Rrëmbimi i tre policëve ka nxitur reagime të shumta në vend, ku u kërkua lirimi i menjëhershëm dhe pa kushte.
Lirimin e tre policëve e kanë kërkuar Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


