Janë liruar tre policët të cilët janë rrëmbyer nga Serbia.
Këtë e ka konfirmuar tashmë edhe Fatmir Haxholli – sekretar i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, i cili ka publikuar një fotografi me tre policët kosovarë që tashmë janë të liruar.
“Më në fund!:, ka shkruar Haxholli në fotografinë e publikuar.

Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi, ishin kidnapuar më 14 qershor.
Policia derisa kishte konfirmuar kidnapimin e tyre nga forcat serbe kishte thënë se “njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.
Rrëmbimi i tre policëve ka nxitur reagime të shumta në vend, ku u kërkua lirimi i menjëhershëm dhe pa kushte.
Lirimin e tre policëve e kanë kërkuar Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka cilësuar këtë rrëmbim, si një agresion nga ana e Serbisë.
“Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit. Dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima”, ka deklaruar presidentja pas rrëmbimit të policëve.
Edhe kryeministri Albin Kurti ka thënë se me këtë rrëmbim të policëve kosovarë, Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Kumanovës, ndërsa rastin e quajti dhe agresion. Madje Kurti ka shfaqur edhe harta ku janë rrëmbyer policët, që dëshmon se ata ishin brenda territorit të Kosovës.
“Në momentin e rrëmbimit, tre policët tonë kanë qenë te tryeza e improvizuar për ngrënie, duke drekuar së bashku. Ata janë rrethuar nga 15 persona që i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Ambasadori ynë në Beograd, Jetish Jashari, sot i ka vizituar ndaras të tre policët, të cilët po mbahen peng nga Serbia. Janë tri rrëfime identike nga tre policët. Vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë. Pikërisht në atë vend ku e kemi theksuar qysh me datën 15 qershor: 1 kilometër në brendi përgjatë rrugës së bllokuar ilegale, dhe 300 metra, përkatësisht 670 metra, nga të dy anët larg kufirit e brenda Kosovës”, ka thënë Kurti.


