Këngët e harruara arbanase rikthehen në një mbrëmje muzikore në Prizren. “Bërbili – Këngë të harruara të arbanasve të Zarës” do të bashkojnë perlat shqiptare më 29 korrik në Kino Bahçe të kinemasë Lumbardhi.
E pjesa më e veçantë është se pikërisht kulturën shqipe muzikalisht do ta prezantojnë dy të huaja, Dina Bušić dhe Melita Ivković.
“Nëpërmjet ndikimeve të tyre unike dhe përvojave personale, Dina dhe Melita u japin jetë këtyre këngëve të lashta, të kënduara në dialektin e rrezikuar arbanas, një përzierje magjepsëse e shqipes, italishtes dhe kroatishtes”, thuhet në njoftimin e koncertit.
Albumi i kuruar nga Jan – Eric Persson sjellë përvojën e Bušić me butësinë e saj lirike dhe tonet mesdhetare në plan të parë të gërshetuar me trajnimin klasik me ndikimet e zhanreve të ndryshme të kitaristes Ivković.
“Albumi kap thelbin e Ballkanit, sharmin melodioz të këngës italiane dhe tingujt ritmik të melodive tradicionale”, njofton Lumbardhi.