Eksperti i fushës së arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se rezultatet e dobëta në testin ndërkombëtar PISA, kanë qenë të pritshme pasi gjendja në arsim është e keqe.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Pupovci ka thënë se nga viti 2018 deri më tani nuk ka pasur veprime serioze për përmirësim të gjendjes.
“Ka qenë plotësisht e qartë që gjendja të arsim nuk është e mirë dhe në kohën kur është organizuar testi në vitin 2022, atëherë si zëvendësministër i arsimit më kanë pyetur se çfarë rezultate presim. Gjithnjë jam shprehur shumë qartë që nuk pres përmirësim në rezultate duke e pasur shumë të qartë që prej vitit 2018 deri në kohën e mbajtjes së testit nuk ka pasur veprime serioze për përmirësimin e gjendjes. Kemi pasur ndryshim të katër ministrave, sigurisht që ka pasur neglizhencë në punë, por ka pasur edhe një periudhë dyvjeçare të pandemisë, kur çdo gjë ka qenë e çrregulluar në procesin mësimor. Mua më ka goditur kjo që ka pasur përkeqësim”, ka thënë Pupovci.
Sipas tij, deri më sot nuk ka llogaridhënie në sistemin e arsimit.
“E kemi ditur që gjendja është keq. Kjo po ndodhë sepse ne deri sot nuk kemi arritur që në sistemin e arsimit të krijojmë një sistem të përgjegjësisë së llogaridhënies. Mendoj që përgjegjësia në shkolla do të rritej shumë po kishim testet kombëtare më kredibile, po të mos kishte kaq shumë kopjim në teste. Do të zhvillohej një punë shumë më e mirë me nxënës”, është shprehur ai.


