Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës zyrtare dhe takimeve të krerët e shtetit kroat, sot ka vizituar edhe kompaninë për prodhimin e armëve në Karlovac të Kroacisë, HS Product.
Fotografi nga kjo vizitë ka publikuar vetë Osmani, ku shihet me armë në dorë.
“HS Product – Kompania për prodhimin e armëve. Karlovac, Kroaci”, ka shkruar Osmani, sipër fotografisë.
Presidentja Vjosa Osmani po zhvillon një vizitë zyrtare në Kroaci dhe pas takimeve me krerët e këtij shteti e ka falënderuar këtë vend që po i del në krah Kosovës edhe këto ditë kur po ballafaqohet me pasojat e aktit të agresionit të Serbisë.
Në një postim të shkurtër në rrjetin social ku ka ndarë edhe disa fotografi, Osmani tha se Kosova dhe Kroacia e kuptojnë dhe përkrahin njëra-tjetrën pa kushte.
“Jemi me fat që kemi një aleat të tillë në krah, që na qëndron pranë në kohë të mira e në kohë të vështira. Kjo përkrahje po dëshmohet edhe këto ditë teksa Kosova po ballafaqohet me pasojat e aktit të agresionit të Serbisë. President Milanović, faleminderit për mikpritjen dhe mbështetjen ndaj Kosovës!”, ka shkruar mes tjerash presidentja Osmani.


