Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po zhvillon një vizitë zyrtare në Kroaci dhe vetëm pak çaste pas mbajtjes së një konference të përbashkët me presidentin kroat, Zoran Milanoviq, e ka falënderuar këtë shtet që po i del në krah Kosovës edhe këto ditë kur po ballafaqohet me pasojat e aktit të agresionit të Serbisë.
Në një postim të shkurtër në rrjetin social ku ka ndarë edhe disa fotografi, Osmani tha se Kosova dhe Kroacia e kuptojnë dhe përkrahin njëra-tjetrën pa kushte.
“Jemi me fat që kemi një aleat të tillë në krah, që na qëndron pranë në kohë të mira e në kohë të vështira. Kjo përkrahje po dëshmohet edhe këto ditë teksa Kosova po ballafaqohet me pasojat e aktit të agresionit të Serbisë. President Milanović, faleminderit për mikpritjen dhe mbështetjen ndaj Kosovës!”, ka shkruar mes tjerash presidentja Osmani.









