Presidentja Vjosa Osmani ka dekoruar me medaljen “Urdhri i Pavarësisë” ish-presidenten e Zvicrës, Micheline Anne-Marie Calmy-Rey, për kontributin e saj në procesin e pavarësimit të Kosovës dhe mbështetjes së vazhdueshme që shteti helvetik nën udhëheqjen e saj ka dhënë për vendin tonë.
Në fjalimin e saj gjatë dekorimit të Calmy-Rey, presidentja Osmani theksoi se duke u mbështetur në kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore, si Presidente e Republikës së Kosovës e ka nderin e madh që ta dekorojë shkëlqesinë e saj, zonjën Micheline Anne-Marie Calmy-Rey me medaljen “Urdhëri i Pavarësisë”.
“Kjo medalje i jepet për kontributin e çmuar që zonja Calmy-Rey ka dhënë për pavarësinë e Kosovës dhe për forcimin e marrëdhënieve miqësore në mes të Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane”, ka theksuar presidentja Osmani.


