Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 31-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, duke nderuar kujtimin e 8.372 burrave dhe djemve boshnjakë të vrarë.
Haxhiu ka thënë se Srebrenica mbetet një kujtesë e dhimbshme për pasojat tragjike të dështimit për të mbrojtur jetën e njerëzve dhe për të vepruar në kohë.
“Në fjalën time theksova se si qytetarë të Kosovës e kuptojmë peshën e humbjes, dhimbjes dhe rëndësinë e drejtësisë. Prandaj qëndrojmë pranë familjeve të viktimave dhe të gjithë atyre që vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën për Srebrenicën”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se mohimi i gjenocidit dhe glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës nuk kanë vend në një shoqëri që synon paqe, demokraci dhe pajtim.


