Shkruan: Dush Gashi
Më kujtohet një film për Nënë Terezën, i bërë nga RAI, nga ata filmat artistikë që bëhen duke iu përmbajtur sa më shumë dokumentares. Meqë edhe mua më shumë më interesonin faktet rreth veprimtarisë së saj, si të thuash nuk iu dhashë ndjenjave që t’i shkakton një film artistik. Por, fiziologjia e kishte bërë të veten. Duke parë gjithë atë mjerim të Kalkutës, atë mori fëmijësh thuaja lakuriq të enden rrugëve të atij qyteti të mjerë, pleq të shtrirë para kasolleve të tyre e duke e pritur vdekjen në vetmi, njerëz të leckosur e të uritur kahmos, vetëm në fund të filmit ndjeva shtrëngimin tepër fortë në bark, si reaksion i shkaktuar nga ndrydhja e emocioneve. Ndërsa ajo grua, sa një grusht, duhej të strehonte një shpirt gjigand brenda saj për të qëndruar me vullnetin e saj në atë vend e me ata njerëz!
***
Ndodhet në Nju-Jork, pranë një tavoline me një shoqatë të atjeshme me emrin e saj, për të mbledhur ndihma dhe për ta ndihmuar në misionin e saj. Burra të veshur bukur, me syze dielli dhe me telefona mobilë në dorë silleshin përreth. Nënë Tereza merr një shishe uji, të cilat ishin vënë në tavolinë dhe pyet sa ka kushtuar një copë. Katër dollarë, i thanë. Me katër dollarë, tha, ia paguaj një gjysmëvjetor shkollën një nxënësi në Kalkutë. Nuk ju desht më shumë për të kuptuar se ishte fjala për, siç do të thoshim ne, ‘biznes-patriotizëm’. Mori trastën e saj dhe iku. Ishin vitet e nëntëdhjeta dhe këtë situatë e kuptoja fare mirë, nga shumë shoqata në Kosovë!
***
Një gazetar, me qëndrim negativ ndaj saj, aludon se sikur në rrugën e saj të misionares e kanë detyruar prindërit. Deri në atë çast Nënë Tereza sillej me mospërfillje ndaj tij. Por, kur e dëgjoi këtë, iu vërsul, duke thënë përafërsisht kështu:
– Nuk është e vërtetë, nëna ime ka qenë shumë e dashur dhe e respektuar, e thërrisnim “Nana Loke”.
Nuk është teprim të thuhet se gjatë historisë së re kemi qenë popull thuaja se ‘jetim’, ndërsa në të nëntëdhjetat shpesh herë ndjeheshim si njerëzit më të braktisur e të harruar në botë. Ndërsa, falë kësaj gruaje, një film anglisht a italisht – tash kam harruar si ka qenë, fjalët shqipe ‘Nana Loke’ po bënte ta qarkullojnë globin! M’u mbushën sytë me lot!
***
Edhe sot pyetem me habi: çfarë dreq botëkuptimesh e karakteresh duhet të kenë ata njerëz, të cilët ngrihen kundër kësaj gruaje, e cila emrin shqiptar e përcjell kahmos në botë dhe emri i saj është shkruar në memorien e botës, prej nga nuk do të fshihet sa të ketë njerëz mbi dhe? Fundja, çfarë mund të kesh ndaj një personaliteti të tillë, qoftë ajo shqiptare, hinduse a kineze, të jetë katolike, myslimane a budiste…?!