Shkruan: Fadil Lepaja
Kurrë mos thoni kurrë. Edhe Serbia mund të kthehet drejt Evropës një ditë, të heq dorë nga projektet kleronacionaliste dhe të puthë në të dy faqet fqinjët e vet shqiptarë, e jo të sillet si deri më tani: Ramën puth e Kurtin kafsho!
Por Rama iku! E la! Vuqiç e kuptoi mësimin më të madh të historisë: miqtë të tradhtojnë. Vetëm armikut mund t’i besosh… Armiqtë nuk të tradhtojnë kurrë dhe mund të bësh llogari me ta. Pastaj, politika serbe nuk funksionon pa shqiptarin e mirë dhe shqiptarin e keq. Herë e puthin njerin, herë e kafshojnë tjetrin. Nganjëherë e luajnë edhe lojën “puth e kafsho”. Si një marrëdhënie e komplikuar dashurie e urrejtjeje!
Nejse, e nisëm sikur të ishte personale por nuk është. Është ideologji klero-nacionaliste e kripur me pak politikë evropiane.
Presidenti serb ka një pyetje të cilën nuk guxon ta bëjë? Pyetja i mbetet pezull si një dëshirë e pathënë. Nëse fuqitë e kohës njohin projektin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, përse nuk e njohin edhe Serbinë e Madhe është pyetja.
Tregoni pak mirëkuptim…
Kur e la Rama, presidenti serb mbeti pa lojë. I la puthjet dhe përkëdheljet politike dhe filloi kafshimet, në zjarrin e xhelozisë. E akuzoi Kurtin se gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, promovoi “Shqipërinë e Madhe”. Është e qartë se loja duhet ngritur sërish si ndjenjë faji për Evropën.
Është e qartë se akuzat për “Shqipërinë e Madhe”, kur bëhen nga serbët, kanë kuptimin e përpjekjes për të tërhequr një paralele dhe për të shfajësuar nacionalizmin serb për krimet që ai ka bërë ndaj popujve të rajonit. Këtë synojnë ta arrijnë me argumentimin se serbët nuk kanë bërë asgjë më tepër se shqiptarët, pra vetëm po përpiqen ta bashkojnë kombin e tyre. Nuk është se e shajnë projektin e “Shqipërisë së Madhe”, por kërkojnë …? Çfarë kërkon Vuqiç, i ulur në rrënojat e Ballkanit të (pa)hapur?
Pyetja, përse jo edhe “Serbia e Madhe”, është dizajnuar për të vënë në siklet dhe për të ngjallur ndjenjë faji te diplomatët dhe intelektualët evropian. Madje edhe për të arsyetuar edhe një përplasje ushtarake në mes këtyre dy projekteve të cilën Serbia shpreson ta fitojë, nëse perëndimi mban qëndrim neutral dhe nëse ruan miqësinë me Rusinë.
Këtu logjikshëm fillon krahasimi si e pati bërë dikur “baba” i kleronacionalizmit serb Dobrica Qosiç: Vetëm serbëve dhe shqiptarëve nuk u konvenojnë kufijtë e republikave dhe krahinave në Jugosllavi, thoshte ai në fund të viteve 80-ta të shekullit XX. Vetëm serbët dhe shqiptarët janë të ndarë në disa republika dhe krahina, argumentonte ai duke kërkuar një aleancë me nacionalizmin shqiptar për të shpartalluar federalizmin jugosllav. Aleanca apo lufta shqiptaro-serbe për territore, do të përgjakte sërish Ballkanin sepse do të bëhej kundër popujve të tjerë.
Por, këto dy projekte i dalloi historia. Historia e projektit të njohur me emrin “Serbia e Madhe”, i ndërtuar mbi idenë e pansllavizmit dhe fuqisë ruse, është ide për bashkim territoresh, e mbushur me dhunë, projekte spastrimesh etnike, shfarosëse dhe asimiluese kudo që kishte popuj dhe identitete që nuk pranonin të ishin serb. Serbët mohonin dallimet kulturore, civilizuese dhe identitare me popujt e tjerë sllav, kroatët, boshnjakët, malazezët, të formësuar në kombe tashmë. Ideatorët serb kërkonin shtet unitar ku do të jetonin vetëm serb katolik, mysliman apo ortodoks.
Integrimet Euro Atlantike, i zunë popujt e Ballkanit pa i përmbyllur projektet nacionale. Duke ruajtur aleancën historike me Rusinë serbët u rreshtuan kah lindja. Ndërkohë ideja e bashkimit kombëtarë të shqiptarëve, duke qenë se nuk synonin territore të huaja u shndërrua në një projekt çlirimtar dhe euro-integrues duke e lënë bashkimin e kombit të realizohet në kuadër të një Evrope pa kufij. Prandaj tu mveshësh shqiptarëve kauzën e “Shqipërisë së Madhe”, kur shqiptarët po angazhohen për integrime evropiane dhe verio-atlantike, është sa qëllimkeqe aq edhe dinake pasi synon të sjell përplasjen e nacionalizmit shqiptarë me evro-centrizmin. Politika serbe po përpiqet ta kompromentojë atë si një luftë për territore.
Potenciali shpërthyes që mbartë në vete angazhimi klero-nacionalist për territore, u pa gjatë dhe pas vizitës së Kryeministrit Kurti në dy komunat me shumicë shqiptare të Maqedonisë Veriore. Akuzat dhe retorika kundër Kurtit janë vetëm pretekst për ta futur sërish Ballkanin në luftë për projekteve etnike. Por, Ambasadori i SHBA në Kosovë e bëri të qartë se SHBA dhe BE nuk përkrahin luftën për territore në Ballkan, as ndryshimin e kufijve.
Por Kryeministri i Kosovës, gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut bëri pikërisht të kundërtën e asaj për çka e akuzojnë Vuqiç dhe Panderovski. Paramendojeni sikur Ana Brnabiq, Kryeminstre e Serbisë, të vepronte njëjtë sikur Kurti dhe të shkonte në Leposaviq, apo në Graqanicë dhe të deklaronte se Kosova është një shtet mik, aleate e Serbisë në rrugën e saj evropiane dhe euro-Atlantike. Paramendjeni gjithashtu që gjatë kësaj vizite ajo të kërkonte që një rruge në Graqanicë t’i vihet emri i një luftëtari serb për të drejtat e njeriut, që ka marr çmimin Saharov dhe të propozonte projekte infrastrukturore që lidhin serbët e Kosovës me Serbi, duke thelluar kështu bashkëpunimin në mes dy shteteve fqinje dhe mike.
Kurrë mos thoni kurrë. Edhe Serbia mund të kthehet drejt Evropës një ditë, të heq dorë nga projektet kleronacionaliste dhe të puthë në të dy faqet fqinjët e vet shqiptarë, e jo të sillet si deri më tani: Ramën puth e Kurtin kafsho!