Shkruan: Agron Xhemajli
Askush nuk i pyeti palët në dialog, por edhe ndërmjetësit pse e tundin kartën e luftës, kë kërcënojnë me këtë, për derisa qe mbi 10 vite bëjnë dialog, dhe kanë arritur mbi 30 marrëveshje, ku është “rreziku potencial” për luftë, nga kush, dhe pse?
Kur i jepet Serbisë ajo që kërkon në Kosovë, nuk “rrezikohet destabilizimi i rajonit”. Ndërsa kur ne e kundërshtojmë këtë politikë, ndezën presionet diplomatike kundër “destabilizimit” e “rrezikut për luftë”. Ai që mbron shtetin e vet, shpallet popull luftënxitës, kurse ai që sulmon shtetin tjetër, konsiderohet konstruktiv në dialog!
Të gjitha këto janë veprime kundër sovranitetit, e integritetit territorial të Kosovës, janë politika militariste e luftënxitëse, janë kundër paqes së vërtetë.
Serbia nuk ka pse ta dojë luftën me neve, sepse përfitoi nga ky dialog, e pala e Kosovës edhe më hiq pasi pranoi çdo gjë që iu vendos përpara ta nënshkruaj. Kush atëherë kërkon luftë? Ai që nuk pajtohet me këto politika, ai që i janë shkelë të drejtat kombëtare? Kjo mund të jetë e vërtetë. Po kjo nuk është dëshirë për luftë, e luftë nxitje. Por është mbrojtje! Nuk është destabilizim, por luftë e drejtë për shtetin e kombin. Destabilizimi nënkupton qëllime të këqija, negative. Ne nuk kërkojmë ta destabilizojmë askënd në vendin e tij, në të drejtën e tij. Nëse këto marrëveshjet që janë bërë janë të dëmshme, nuk kemi ç’t’i bëjmë “stabilitetit” në kurrizin tonë. Ai duhet të prishet bashkë më marrëveshjet mbi të cilat qëndron në këmbë, por jo edhe përgjithmonë. Dhe pse t’i prishë populli ynë këto marrëveshje? Sepse janë kundër interesit të tij themelor. Ai që do të duhej dhe që mund t’i prishë këto marrëveshje pra është vetëm populli shqiptar mbi kurrizin e të cilit bien këto dëme, e askush tjetër.
Prandaj karta e luftës tundet si frikësim dhe shantazh kundër zgjimit apo kundërshtimit të këtij dialogu keqbërës. Jo vetëm së fundi, kjo është bërë vazhdimisht, që kur nisi ky dialog. Të gjitha palët në dialog e tundin këtë kartë si kërcënim, si mjegullim, dhe si mënyrë që të kalohen marrëveshjet më lehtë, dhe që dëmi i marrëveshjeve të mbetet nën hijen e këtij “rreziku”. Me këtë formë të propagandës dialoguese, ata vet po tregojnë se janë duke bërë një punë djallëzore në kurriz të shqiptarëve.
Ndërmjetësit zakonisht përdorin edhe kartën e “karrotës” pra të shpërblimeve që ti hutojnë popujt nga përmbajtja e keqe e marrëveshjeve, por në rastin e Kosovës për habi nuk e quajnë fare të nevojshme këtë. Këtu ecin punët vaj, edh epa shpërblime! E kanë zgjedhur vetëm “kërbaçin”. Pse jo kur politikanët e saj e kanë shtrirë kurrizin, dhe kërkojnë që këtë ta bëjë edhe populli. Kërkojnë që edhe populli të bëhet si ata. Pa kurriz! Thua se për mbrojtjen e sovranitetit është turp ose katastrofë të shkohet edhe në luftë, po qe se ka nevojë. Pacifizmi më lehtë heq dorë nga sovraniteti se të derdhë djersë e mund për atdheun e lirinë e popullit të tij. Më parë i shërben padronit se sa atdheut. Për të çdo gjë është normale përveç luftës për liri e cila është katastrofë!
Pse Serbia te shkojë në luftë kur me dialog po fiton më shumë?
Serbia po merr nga dialogu më shumë se me luftë. Mbi 30% të territorit ia dhanë me asociacionin dhe eksterritorialitetin kishtar. Pse të bëj ajo luftë kur me paqe merr më shumë. Luftën e nxehtë me Kosovën ajo e humbi, pse t’i kthehet asaj. Me dialog, llogaria i del më e madhe se me luftë.
Nga praktika e konflikteve ndër-shtetërore, kërcënimi me luftë i bëhet atij i cili nuk jep atë që i kërkohet, e jo politikanëve tanë që dhanë çdo gjë që ju kërkua në këtë dialog.
A vendoset sovraniteti me dialog?
Kur Serbia ndërhynë në sovranitetin tonë, na thonë rrini urtë se “ka rrezik potencial për luftë”! Ndërsa kur ne duam ta bëjmë këtë, na thonë “uluni në dialog” nuk ka nevojë për acarim! Dhe normalisht kjo diplomaci ka sukses sepse e pranojnë politikanët tanë.
Sipas tërë përvojës botërore por edhe teorisë, sovraniteti i një shteti, kur pengohet nga një tjetër, nuk mund të vendoset me dialog. Ai që ndërhynë në sovranitet e integritet të tjetrit, nuk e bënë këtë punë pa vetëdije e pa qëllim, që pastaj t’i falet dhe të ulemi e bisedojmë se si t’ia bëjmë që të mos e pengoj fqinjin! Ku është parë kjo praktikë? Vetëm në Kosovë! Po të ishte se sovraniteti i shteteve e popujve, vendoset me dialog, nuk do të kishte nevojë për luftëra çlirimtare. Shtetet do t’u njihnin popujve të robëruar pavarësinë me dialog! Pushtues e kolonizatorë pacifistë nuk ka.
Me vet faktin se sovraniteti nënkupton ushtrimin e pushtetit shteteror me detyrim ndaj të gjithëve, kjo nuk ka të bëjë pra me dialogun. Sovraniteti i një shteti nuk realizohet me marrëveshje. Aq me pak të pyetet një shtet fqinj, e edhe më hiq një shtet armik!
Kush e pengon vendosjen e sovranitetit ne veri?
Nuk mund të ketë në veri edhe sovranitet të plotë edhe zbatim të marreveshjeve të cilat e krijojnë një pushtet të ri atje (Zajednica) i cili e përjashton pushtetin e Kosovës.
Sipas teorisë të së drejtës, pushteti shtetëror është suprem, i pavarur dhe i vetmi. Që do të thotë se në një territor nuk mund të ketë dy pushtete.
Prandaj në veri sovraniteti i plotë pengohet sepse atje është krijua rnjë pushtet i dytë përjashtues, që është “Zajednica”, e cila nuk e lejon të ushtrohet pushteti shtetëror i Kosovës. Dëshmi për këtë janë pengesat për dërgimin e ushtrisë dhe policisë speciale atje.
Pengesën për sovranitetin e vendit tonë në veri e kanë bërë vet politikanët tanë, të cilët dy herë ia konfirmuan, në 2013 dhe tani në 2023.
Serbia e mori këtë dhuratë të gatshme, nuk bëri për këtë asnjë mund, nuk pati asnjë viktimë, asnjë “hero” të kësaj fitoreje, asnjë luftë, e asnjë sakrificë, e as nuk “u destabilizua rajoni”! Tanët e dorëzuan pa dhunën shtetërore legjitime, e cila autorizohet nga çdo e drejtë dhe ligj vendor e ndërkombëtar kur një vendi i shkelet sovraniteti e integriteti territorial nga cilido që synon ta cënoj një pushtet të pavarur. Por, këtë të drejtë që e ka shteti, politikanët tanë nuk duan ta zabtojnë. Abstenojnë me vetëdije nga ushtrimi i pushtetit të plotë në terren.
Se cili pushtet do te fitoj në veri, ai i Kosovës apo i “Zajednices”, varet vetëm nga qëndrimi i popullit tonë, i cili nuk e ka edhe lehtë të “zgjohet” nga gjumi ku po e përkundin fort.
(Autori është publicist dhe verpimtar i çështjes kombëtare një ndër themeluesit e UÇK-së në Prishtinë dhe Podujevë)