Policia e Kosovës ka njoftuar se një qytetar nga Komuna e Vitisë ka gjetur një sasi ari, respektivisht një pesëlirësh dhe një zinxhir ari afër stacionit të autobusëve në Prishtinë.
Sipas njoftimit, ato mandej qytetari i ka dorëzuar në Stacionin Policor në Viti.
“Në Stacionin Policor Viti me datën 04.10.2023 është paraqitur një qytetar nga Komuna e Vitisë, i cili ka njoftuar se afër stacionit të autobusëve në Prishtinë me datën 03.10.2023 ka gjetur një sasi ari (një pesëlirësh dhe një zinxhir) dhe të njëjtat i ka dorëzuar në Stacionin Policor Viti”, thuhet në komunikatën për media.
Drejtoria rajonale e Policisë në Gjilan përmes një njoftimi ka kërkuar mirëkuptim nga mediat që shkresën së bashku me fotot e bashkangjitura të e shpërndaj te qytetarët në mënyrë që personi i cili besohet që ka humbur arin e lartcekur të paraqitet në Stacioni Policor Viti.
Me këtë rast, Drejtoria rajonale e Policisë në Gjilan falënderon qytetarin për veprimin e ndershëm dhe nivelin e lartë të përgjegjësisë qytetare.
“Po ashtu apelojmë tek qytetarët qё shembuj tё tillë tё bashkëpunimit me Policinë e Kosovës tё vazhdojnë edhe nё tё ardhmen”, thuhet në njoftim.



