U mbajt sot ceremonia e fillimit të punimeve për fazën e dytë të ndërtimit të kanaleve kulluese në Komunën e Shtimes, projekt ky në vlerën e mbi 450 mijë eurove, i cili, siç u tha, ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin e bujqësisë dhe mbrojtjen e ambientit në këtë komunë.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, theksoi rëndësinë e projektit, jo vetëm për bujqësinë, por edhe për çështje të tjera të jetës së përditshme të qytetarëve.
“Preokupimi dhe angazhimi ynë nuk ka qenë vetëm përkrahje direkte për fermerët, por njëkohësisht edhe rritja e bashkëpunimit me komunat. E një prej komunave që është treguar shumë bashkëpunuese, proaktive dhe aktive me kërkesa dhe projekte të qarta ka qenë Komuna e Shtimes. Gjatë gjithë mandatit ka hasur në përkrahje, në kuadër të kapaciteteve dhe mundësive buxhetore, që ka pasur Ministria e Bujqësisë. Sot po fillojmë vazhdimin e fazës së dytë të një projekti që do të lehtësojë jetesën e qytetarëve, do të parandalojë çështjen e vërshimeve, për shkak të dëmeve që shkaktohen në bujqësi, por që trajton edhe aspektin ambiental”, tha ministri Peci.
Ndërsa, kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, vlerësoi lart bashkëpunimin me Ministrinë e Bujqësisë dhe theksoi rëndësinë e këtij investimi për komunën që udhëheq.
“Sot bashkë me ministrin Faton Peci jemi këtu në një ditë të veçantë në gurthemelin e një projekti që është shumë i rëndësishëm për komunën e Shtimes. Flasim për kanalet kulluese. Është faza e dytë, sepse fazën e parë bashkërisht me ministrin e kemi përfunduar vitin e kaluar. Janë rreth dy kilometra kanale kulluese që janë bërë. Tashti po vazhdojmë me projektin që është faza e dytë, që do të ndërtohen rreth 3 kilometra kanal kullues, me një kosto prej mbi 450 mijë euro, me shpresën që të dy këto kanale do të bashkohen në fazën e tretë dhe do të shkojë ky kanal deri aty ku është i planifikuar përtej rrugës që ndan fshatrat. Këto toka kanë qenë zakonisht të përmbytura nga ujërat atmosferike, sidomos gjatë reshjeve të pranverës dhe vjeshtës”, tha ai.