Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër të dielën ndaj vendimit të një komisioni ministror, të cilin ai e akuzon për përpjekje për të bllokuar punimet në Komunën e Prishtinës.
Në një reagim të publikuar, Abdixhiku ka kritikuar atë që e quan “bllokim të qëllimshëm” të projekteve zhvillimore në kryeqytet, duke theksuar se, pavarësisht pengesave, punimet do të vazhdojnë.
“Një Komision, diku në një Ministri, me një a dy inspektorë partiakë e idhnakë, vendosë të bllokojë një Kryeqytet të tërë, me arsyet e mbrojtjes së trashëgimisë. Trashëgimi ky asfalt gërmadhë?!”, shkruan Abdixhiku.
Ai i cilësoi bllokuesit si të paaftë dhe theksoi se vetëm njerëzit që nuk dinë të punojnë përdorin bllokadën si mjet për pengim.
Abdixhiku përmendi disa projekte të rëndësishme që, sipas tij, janë bllokuar ndër vite, përfshirë Sheshin “Xhorxh Bush”, mbikalimin në Dragodan, nënkalimin te Kuvendi, Rrugën A, Unazën e Jashtme, Planin Zhvillimor Komunal dhe çështjet e tatimeve vetanake.
“Kanë bllokuar për tre vite rresht në vazhdimësi sheshe, mbikalime dhe projekte të tjera jetike, duke u arsyetuar me mbrojtjen e trashëgimisë, ndërkohë që në realitet kanë dëmtuar zhvillimin e kryeqytetit,” ka theksuar ai.
Në përmbyllje të reagimit, Abdixhiku ka shprehur vendosmërinë që punimet të mos ndalen dhe ka paralajmëruar se “Prishtina do të fitojë, edhe tash, edhe në vjeshtë”, duke aluduar në zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Kjo gërmadhë shpejt do të shndërrohet në një ndër sheshet më ikonike në vend,” përfundoi ai.