Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka prezantuar në Komisionin parlamentar për arsim Ligjin për arsimin e lartë, i cili u shqyrtua dhe miratua në parim nga ky komision.
“Prezantova sot në Komisionin parlamentar për arsim, Ligjin për arsimin e lartë i cili u shqyrtua dhe miratua në parim nga ky komision.
Me shumë punë e përkushtim, për më pak se një vit kemi arritur ta hartojmë draftin e ri të Projektligjit dhe ta nxjerrim në konsultim publik”, ka thënë Nagavci në një postim të bërë në profilin e saj në Facebook.
Sipas Nagavcit, disa nga risitë që sjellë Projektligji i ri për arsimin e lartë janë:
-Kritere të qarta për themelimin e institucioneve me qëllim të ushtrimit të aktiviteteve në arsim të lartë-shkencor, profesional, artistik.
-Përcaktimi i obligimeve dhe detyrave të strukturës qeverisëse të institucioneve publike të arsimit të lartë duke siguruar vendimmarrje të pavarur dhe të pandikuar;
-Përcaktimi i standardeve minimale dhe kushteve për emërime akademike;
-Financimi i institucioneve publike në bazë të kontratave të performancës;
-Vendosja e mekanizmave për sigurimin e integritetit akademik:Komiteti etik në nivelin qendror, këshilla të etikës në çdo institucion të arsimit të lartë;
-Verifikimi i titujve akademik.
“Falenderoj anëtarët e grupit punues për kontributin e tyre për të finalizuar këtë projektligj.
Duke qenë se është një ligj me interes vital, uroj që deputetët ta trajtojnë me prioritet dhe ta finalizojmë sa më shpejt”, shprehet në fund ministrja Nagavci.


