Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka akuzuar shkollat për mungesë të llogaridhënies. Sipas saj ato me lehtësi marrin vendime për shkurtim të orëve, mosmbajtje e mozëvendësim të tyre.
Të mërkurën në një intervistë në KTV, Nagavci ka thënë se karshi kësaj mungese të llogaridhënies heshtin komunat.
“Ne shohim që shkollat me lehtësi e shkurtojnë orën e mësimit në ditën e shtunë, ose edhe në ditën e premte, i marrin vendimet pa asnjë brengë që po shkurtohet ora e mësimit, po ndërpriten një orë, po ndërpriten dy orë, mungon dikush, nuk zëvendësohen orët, ka pasur hezitime edhe për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, dhe komunat paksa i mbyllin sytë dhe veshët në këtë situatë dhe kjo nuk është e mirë, sepse kjo po na reflekton pastaj në rezultatet të cilat i kemi”, është shprehur Nagavci.
Ajo ka thënë se si Ministri janë përballur me numër të vogël të inspektorëve. Por sipas saj edhe kompetencat e rreth 20 inspektorëve të Ministrisë janë të kufizuara. “E gjitha çfarë mund të bëjnë është vizitat në shkolla, përgatisin raportet, i dërgojnë në drejtori komunale dhe pastaj drejtoritë janë ato të cilat duhet të kujdesën që të mos përsëriten gjera të tilla, gjë që nuk ka ndodhur në praktikë”, ka thënë Nagavci.
Ajo ka thënë se kanë evidentuar raste kur komunat për arsye të ndryshme nuk i kanë zbatuar politikat që kanë qenë të planifikuara. Ka përmendur në këtë rast angazhimin e psikologëve shkollorë.
“Ndonëse nga niveli qendror janë të buxhetuara pagat për diku 540 psikologë e pedagogë shkollorë, në praktikë janë më pak se një e treta të punësuar ose rreth 150. Kërkesa jonë për komunat ka qenë që të sigurohen që të mos përdoren mjetet për qëllime të tjera”, ka thënë Nagavci.
Rast të tillë ka thënë se kanë pasur edhe për asistentet për fëmijët me nevoja të veçanta.
Ajo ka thënë se pushimi i nxënësve në janar nuk ka zgjatur, si pasojë e mosfillimit të mësimit me kohë në shtator, për shkak të grevës.
Sipas saj greva ka shkaktuar shumë dëme. “Pasojat për këtë më së shumti edhe pa fajin e tyre do t’i bartin fëmijët. Andaj është e nevojshme që të punojmë për të dhënë maksimumin për të tejkaluar çdo pakënaqësi edhe ndarje që është krijuar gjatë grevës”, është shprehur Nagavci.


