Depozitat dhe kursimet e familjeve kosovare kanë arritur një nivel rekord në fund të tetorit, duke kapur shumën 4.69 miliardë euro, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se këto shifra “çmontojnë propagandën”, duke theksuar se rritja e kursimeve të qytetarëve në pesë vitet e fundit ka qenë dukshëm më e lartë krahasuar me periudhat e mëparshme.
Sipas statistikave të BQK-së, depozitat e familjeve janë rritur për 2.12 miliardë euro që nga tetori i vitit 2020 – një rritje prej 82.5% krahasuar me 2.57 miliardë euro sa ishin pesë vite më parë.
Murati ka krahasuar këtë rritje me periudhën 5-vjeçare para Qeverisë Kurti, kur depozitat ishin rritur me vetëm 745 milionë euro, apo 40.8%.
“Rritja e kursimeve në periudhën 2020–2025 ka qenë më shumë se dyfish më e shpejtë sesa në pesëvjeçarin e qeverisjeve të kaluara,” thekson Murati, duke shtuar se kjo tregon përmirësim të gjendjes financiare të familjeve në vend.


