Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ka konsideruar të pabazuara dhe manipulative pretendimet e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, që qeverisja qendrore po i bllokon dhe ndalon projektet kapitale të Komunës së Prishtinës.
“Komuna po tenton të paraqesë zbatimin e ligjit si pengesë politike. Në fakt, është vet ajo që ka vepruar dhe po vazhdon të veprojë në kundërshtim me ligjin për trashëgiminë kulturore e ligjet tjera dhe po e dëmton buxhetin e shtetit, e cenon interesin publik. Ministria e Kulturës, në vazhdimësi është sfiduar me veprimet e njëanshme të Komunës së Prishtinës, përkatësisht për projektin e sheshit “Xhorxh Bush”, atë të “Ishullit Urban”, Rrugës “Rexhep Luci” dhe projektin te Rruga “Agim Ramadani”. Veprimi i tyre i fundit, ngritja e kallëzimit penal ndaj inspektorit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, Pajtim Zogaj është formë e presionit ndaj zyrtarëve që zbatojnë ligjin, i pabazuar e tendencioz dhe ky veprim vjen pasi MKRS, me datën 2 prill 2025, ka dorëzuar kërkesën për fillim të hetimeve për fenomenin e ndërhyrjeve pa leje në zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore nga ana e Komunës së Prishtinës, ku kemi argumentuar shkeljet e rënda që janë bërë në këto projekte”, thuhet në komunikatën e MKRS-së.
Tutje kjo ministri ka bërë të ditur se kallëzimit penal ndaj zyrtarit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, do t’i përgjigjet me kallëzim penal për kallëzim të rrejshëm, ndërsa dorëheqjen e drejtorit të ITK-së, Imer Hakaj nuk e ka miratuar.
“Kjo pasi gjithë puna e bërë deri tani është brenda mandatit të tij. Inspektorati ka vepruar në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe brenda autorizimeve ligjore.
Ne, konsiderojmë që veprimet e përsëritura, të qëllimshme dhe me paramendim të Komunës së Prishtinës, nuk paraqesin vetëm shkelje procedurale, por kemi dyshime të bazuara për keqpërdorim dhe dëmtim të buxhetit publik”, theksohet tutje në komunikatë.
MKRS, ka rikujtuar se në muajin dhjetor 2024, ka ngritur kallëzim penal ndaj kryetarit të Prishtinës për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi, sipas saj, i njëjti ka lidhur kontratë mbi 6.5 milionë euro, pa leje sipas ligjit për trashëgimi, ka kryer afër 1.5 milionë euro pagesa të paligjshme, dhe ka kontraktuar punë në pronën e dhënë në shfrytëzim afatgjatë për ndërtimin e TOB.