Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka vizituar sot hapësirat e Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike Ibër-Lepenci, pranë Liqenit të Ujmanit. Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Kurti ka vlerësuar lart punën dhe përkushtimin e ndërmarrjes, duke veçuar reagimin e shpejt të ndërmarrjes për sanimin e dëmit pas sulmit në infrastrukturë kritike në kanalin kryesor të saj në nëntor të vitit të kaluar.
“Puna dhe përkushtimi i ndërmarrjes, veçanërisht edhe pas sulmit në infrastrukturë kritike në kanalin kryesor të saj në nëntor të vitit të kaluar, është për t’u vlerësuar lart, për reagimin e shpejtë në sanimin e dëmit të shkaktuar”, ka shkruar Kurti.
“Në kuadër të mbështetjes sonë si qeveri ndaj Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike Ibër-Lepenci, ia rikthyem së fundmi në shfrytëzim edhe një pronë të saj në komunën e Zubin Potokut, e cila ishte më parë jashtë kontrollit të ndërmarrjes, sepse zotërohej nga strukturat paralele ilegale. Tashmë ka rend e ligj, shërbime efikase për qytetarët dhe gjithëpërfshirje”, ka përfunduar Kurti.