Kuvendi i Kosovës me seancë të jashtëzakonshme po trajton rezolutën për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore.
Debati në Kuvendin e Kosovës po vazhdon me polemika të shumta për gjendjen e sistemit shëndetësor. Deputetët në seancën e jashtëzakonshme janë duke shprehur çështje të ndryshme, teksa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia po përgjigjet rreth tyre.
Një nga temat e diskutuara është edhe amputimi i protezave për invalidët e luftës në Kosovë, ku Vitia ka premtuar se është një nga çështjet që po trajtohen me prioritet.
“Janë shpenzuar me miliona, të cilat ka shumë të ngjarë të jenë keqpërdorur, bëj thirrje që të hetohen. Çudi se si nuk janë hetuar gjithë këto miliona që s’kanë sjellë një mekanizëm a institucion që mund t’i bëjë protezat brenda Kosovës. I garantoj të gjithë invalidët se kjo është çështja më prioritare, përveç se do t’i ngrisim kapacitetet, do të trajtohen edhe me fondin jashtë vendit dhe do t’i marrin këto shërbime”, ka thënë i pari i shëndetësisë.
Sa i përket depos qendrore të barnave, Vitia ka thënë se ajo është buxhetuar, teksa ka premtuar se “do ta kemi më të mirën ndonjëherë”.
Ndërkaq ai ka thënë se po përdorin një politikë investuese për uljen e listave të pritjes nëpër repartet e QKUK-së.
“Listat e pritjes edhe në ortopedi, edhe në kirurgji vaskulare, më shumë ka pasur në vitet 2018-2019 sesa që ka sot. Lista të pritjes për disa ka me pasë përherë, por ne po bëjmë investime duke i analizuar ato që të shtojmë salla të operacioneve në ortopedi në mënyrë që të zvogëlohet lista e pritjes”, ka thënë Vitia.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me propozim-rezolutën për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore, tha se është me rëndësi të diskutohet për tema të tilla në Kuvendin e Kosovës.
Ai sqaroi se në tekstin e arsyetimit për miratimin e kësaj propozim-rezolute, është paraqitur puna që nga viti 2014 e këndej, kur siç theksoi ai, ka hyrë ligji në fuqi, ndonëse, shtoi ai, është ditur se nuk do të gjente zbatim.
“Është ditur se që atëherë ky ligj nuk do të gjente zbatim dhe s’ka si të mos pajtohem me ju i nderuar profesor Dreshaj në këtë pikë dhe LVV zëshëm ka thënë edhe para 10 vjetëve këto kritika që ju i paraqitët sot dhe më vjen mirë që, edhe pse me 10 vjet vonesë, kemi pajtueshmëri në këtë pikë”, deklaroi Vitia, derisa shprehu kritika ndaj propozuesit të kësaj rezolute për themelimin e fondit e që, sipas tij, kjo nuk është paraparë themelimi i një fondi të tillë.
Ministri Vitia tha se gjatë këtyre viteve asnjë qeveri paraprake nuk ka paraparë asnjë nismë për ndryshimin e ligjeve për sigurimet shëndetësore.
Ai lidhur me sigurimet shëndetësore ka thënë se LVV që në vitin 2019 ka thënë se nuk mund të funksionalizohet brenda 4 vjetëve.
“Në vitin 2019 ne si subjekt politik kemi thënë se Fondi për Sigurime Shëndetësore nuk mund të funksionalizohet brenda 4-5 vite punë intensive”, deklaroi Vitia, derisa kritikoi ish ministrat të dikasterit, të cilët thoshin se ky fond do të funksionalizohet brenda 24 muajve, duke harruar se pikërisht ata ishin që kanë sjellë shëndetësinë në gjendje çfarë ishte.