Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nga takimi i rregullt me Drejtoritë Komunale të Arsimit ka njoftuar për rritjen e buxhetit për vitin e ardhshëm.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci me këtë rast ka theksuar se, Qeveria e Kosovës në vazhdën e angazhimeve të saj për të mbështetur sistemin arsimor, ka miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm, ku buxheti për sektorin e arsimit është rritur për 20 për qind, thuhet në njoftimin e MASHTI-t.
Tutje sipas njoftimit, është diskutuar edhe çështja e mësimit dual. “Drejtori i Departamentit të AAP-së, Lah Nitaj theksin e vuri te realizimi i mësimit dual, i cili këtë vit shkollor është duke u zbatuar në 12 profile, trajnimin e mësimdhënësve të AAP-së dhe fazën përmbyllëse të kurrikulave për klasët 10, 11 dhe 12”, thuhet në njoftimin e MASHT-it.
Pjesë e diskutimeve kanë qenë edhe temat si hartimi i ligjeve të ndryshme dhe udhëzimeve administrative, përfshirë rregulloren për punësimin e stafit arsimor, ndërtimin e infrastrukturës së re shkollore dhe çerdheve, furnizimin e shkollave me pajisje të ndryshme.


