Kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë sot ka folur edhe për dialogun dhe marrëveshjen e arritur me Serbinë.
Ajo tha se qasja e Serbisë ndaj Kosovës tashmë është e njohur, duke iu referuar deklaratës së presidentit të Serbisë, i cili tha se nuk e mbështetet anëtarësimin e Kosovës në OKB, për të cilën ka reaguar kryeministri Kurti.
“Ne kemi qasje konstruktive në dialog dhe dihet se komunikimi me Serbinë si ka qenë, deklarimet e Vuçiqit nuk janë të reja. Kemi pasë vazhdimisht deklarata e shkelje të marrëveshjeve nga ana e tyre”.
Kusari-Lila tha se në këtë fazë të procesit të dialogut, qasja e Kosovës është që të nxirret maksimumi nga hapësira e ngushtë, e cila është krijuar ndër vite në procesin e dialogut.
Ajo përmendi edhe çka mendojnë se do të përfitohet me nënshkrimin e kësaj marrëveshje.
“Ajo çka për neve është shumë e rëndësishme, e cila fatkeqësisht është kompromentuar në proceset e mëhershme është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, njohja nga shtetet mosnjohëse, rritja e mirëqenies, ngritja e volumit ekonomik të Kosovës”, tha mes tjerash Kusari-Lila.
Tutje deputetja Kusari-Lila tha se Kosova ka rregullimin më të mirë në Evropë sa i përket çështjes së pakicave dhe asnjëherë nuk do të pranohet diçka që dëmton shtetin e Kosovës.


