Shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gezim Sveçla, ka publikuar një reagim të ashpër, duke thënë se Banka Zhvillimore Gjermane (KfW) ka paralajmëruar Bordin e Drejtorëve të Termokosit se, për shkak të keqmenaxhimit në ndërmarrje, po shqyrton mundësinë e tërheqjes nga projekti i zgjerimit të sistemit të ngrohjes qendrore në kryeqytet.
Sipas Sveçlës, partnerët gjermanë, të cilët prej vitesh kanë mbështetur financiarisht dhe teknikisht Termokosin, nuk janë më të gatshëm të tolerojnë, siç e cilëson ai, keqmenaxhimin dhe papërgjegjësinë në drejtimin e ndërmarrjes.
Në reagimin e tij, ai thekson se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi Bordin e Drejtorëve të Termokosit, por edhe mbi kryetarin e Komunës së Prishtinës, për të cilin pretendon se mban përgjegjësi politike dhe institucionale për mbikëqyrjen e ndërmarrjes.
Sveçla akuzon se Termokosi është përdorur për kalkulime politike, duke pretenduar se ndërmarrja është shndërruar në instrument për interesa partiake, përfshirë edhe sigurimin e mbështetjes së delegatëve në strukturat e LDK-së.
Ai vlerëson se rrezikimi i projektit të zgjerimit të ngrohjes qendrore, vënia në pikëpyetje e bashkëpunimit me KfW-në dhe humbja e besimit të një partneri strategjik përbëjnë, sipas tij, pasojë të drejtpërdrejtë të një qeverisjeje të papërgjegjshme dhe korruptive, me pasoja për Termokosin dhe qytetarët e Prishtinës.


