Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës ka reaguar pas aksidentit në vendpunishte ndërtimore në rrugën “Holger Petersen”, ku një punëtor humbi jetën dhe një tjetër u lëndua rëndë, duke bërë thirrje për respektimin rigoroz të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë.
Në reagim thuhet se i lënduari, sipas informatave nga ekipet mjekësore, ndodhet në gjendje të rëndë, por stabile, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas Drejtorisë, menjëherë pas pranimit të njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë reaguar Brigada Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit të Kryeqytetit (BPZ), Policia e Kryeqytetit, pjesëtarë të Njësisë për Reagim të Shpejtë dhe Siguri (NJRSH), ekipet e Urgjencës Mjekësore, si dhe ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca.
Në reagim thuhet se të gjitha ekipet kanë vepruar me përkushtim maksimal, profesionalizëm dhe koordinim të plotë ndërinstitucional, duke bërë çdo përpjekje për shpëtimin e jetëve dhe sigurimin e vendit të ngjarjes.
Lidhur me shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, Drejtoria rikujton se, sipas Policisë së Kosovës, njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Njëkohësisht, Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca rithekson rëndësinë e respektimit rigoroz të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë në çdo vendpunishte ndërtimore, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla tragjike dhe mbrojtjes së jetës së punëtorëve dhe qytetarëve.
Rama: Siguria në punë duhet të jetë prioritet i panegociueshëm
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas aksidentit, duke thënë se humbja e një jete në vendin e punës është një tragjedi dhe se siguria në punë duhet të jetë prioritet i panegociueshëm.
Rama ka shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës, ndërsa të lënduarit i ka uruar shërim sa më të shpejtë.
Ai ka falënderuar Brigadën Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Policinë e Kosovës, ekipet e Urgjencës Mjekësore, Njësinë për Reagim të Shpejtë dhe Siguri, si dhe Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar në këtë ndërhyrje.
Sipas tij, rrethanat e aksidentit po hetohen nga organet kompetente, ndërsa vlerësimi i respektimit të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë është kompetencë e Inspektoratit Qendror të Punës, institucion në kuadër të nivelit qendror.
Rama ka thënë se pret që hetimet të zbardhin plotësisht shkaqet dhe përgjegjësitë për këtë rast.


